1. E bëj një njeri të vdesë ose një kafshë të ngordhë, duke e qëlluar me armë a me ndonjë mjet tjetër, i marr jetën. Vrau një fashist. Vrau një ujk. Vranë rosa të egra. E vrau një të pabesë (prapa shpine). E vrau rrufeja. E vraftë pika! mallk. Më vraftë buka! vjet. betim.
2. Godit një pjesë të trupit tim ose një tjetër me diçka a pas diçkaje, duke shkaktuar dhembje e plagë; e bëj me gjak, e gjakos. I vrau syrin. E vrau mushka. Vrau këmbën (dorën, gjurin). Vrau ballin. E vrau pas gurit. Ku je vrarë kështu?
3. vet. veta III. Më shtrëngon, më rri ngushtë e s'e duroj dot; më shkakton dhembje kur rri në të, kur e prek etj. Më vret rripi. Më vret këpuca. Më vret dysheku.
4. kryes. veta III. Prek e dëmtoj, i shkaktoj dëm; prish. Të vret ushqimi i tepërt. Bryma i vret disa perime. Të ftohtët (ngrica) i vret bimët. E vrau vrugu duhanin. Dielli i fortë i vret lulet.
5. vet. veta III. Nuk më lë të shoh mirë. Më vret sytë dielli (drita e fortë).
6. fig. E prek thellë në ndjenja a në sedër, e lëndoj shumë; i shkaktoj dikujt dëshpërim a dhembje të madhe shpirtërore, e pikëlloj, e hidhëroj shumë. E vrau me fjalë. Më vrau në zemër më dëshpëroi shumë, më lëndoi keq. E vrau ndërgjegjja e ndjeu veten fajtor për diçka dhe u pendua. Atë nuk e vret turpi. Më vrave! më shkaktove një dhembje të thellë! më there! (i thuhet dikujt që na jep një lajm shumë të hidhur).
7. E mundoj shumë dikë, e detyroj të punojë jashtë mundësive që ka, e rraskapit; e ngarkoj shumë, e rëndoj; e bëj që të bjerë nga shëndeti të plaket më shpejt (edhe fig.). Nuk e ka vrarë puna. S'e ka vrarë trupin. Mos e vra kafshën e barrës. E kishte vrarë lodhja (pagjumësia). E kishte vrarë jeta e rëndë. E ka vrarë sëmundja. E kishte vrarë kurbeti. I vritnin taksat shumë. I vriste qiraja e lartë.
8. bised. Shtyp me dorë a me diçka tjetër për ta zbutur etj.; thërrmoj. Vras brumin. E vrau sallatën me kripë. Vrasin plisat (tokën).
9. Ia thyej pak ngjyrën e fortë me një bojë tjetër, ia ndërroj pak ngjyrën. E vrau gëlqeren me pak bojë të verdhë. E vrau të kuqen me pak të bardhë.
As të fal as të vret shih te FAL. Të vret barkun iron. të pëlqen shumë diçka, ke qejf ta hash. Vret degë më degë shih te DEG/Ë, ~A. Vret kohën rri pa punë, harxhon kohën kot. Vret (pret) larg shih te LARG. Vret (rreh) lart (rëndë) shih te LART. Nuk e vret mendjen (kokën) për diçka edhe poh. nuk mendohet shumë për diçka, nuk përpiqet shumë për ta zgjidhur diçka, nuk e lodh mendjen. Vret (numëron, zë) miza (gjithë ditën) mospërf. shih te MIZ/Ë,~ A. Të vret (të ther) e s'të paguan shih te THER. Të vret me pambuk shih. te PAMBUK,~U. Vriste e priste
a) fliste ashpër, fliste rëndë e sillej keq me të tjerët; mburrej se do t'ia bënte një të keqe dikujt;
b) bënte si i donte qejfi. Të vraftë qulli! tall. përdoret kur i drejtohemi dikujt që s'është i zoti të bëjë edhe një punë fare të lehtë. Po e vret samari dikë shih te SAMAR,~I. S'e ka vrarë samari (këpuca) nuk ka rënë ndonjëherë ngushtë a në gjendje të vështirë, s'ka pasur ndonjëherë shqetësime e telashe; nuk e ka pësuar; nuk ka vuajtur ndonjëherë, nuk ka hequr keq; Më vret sytë diçka nuk e duroj dot diçka që është bërë keq, që është shëmtuar ose që nuk më pëlqen a nuk e dua. Të vrisje shtatë (nuk gjeje) shih te SHTATË. Vret (shet) të trasha (të rënda) mburret shumë, shet mend. Më vret (më shpon) veshin (veshët) diçka shih te VESH,~I. Vrafsh veten! i thuhet me qortim dikujt që i kemi dalë nga borxhi me kuptimin: «mirë të të bëhet se fajin e ke vetë!; bëj ç'të duash vetë, mos prit ndihmë nga të tjerët!» E di se ku më vret barra e di ku më çalon puna, e di ku, e kam një pikë të dobët. Vret barkun në hije iron. nuk i pëlqen të punojë, është dembel e rri pa punë. Do vrarë më bukë në gojë shih te BUK/Ë, ~A. Vret gjetkë ai (fjala e tij) e ka fjalën gjetkë, ai flet me nënkuptime, synon diçka tjetër. Nuk ia vret (nuk ia shtrëngon) këpuca këmbën nuk është nevojtar, nuk është ngushtë, s'di ç'është skamja. E di gomari ku e vret samari fj.u. shih te GOMAR,~I. Të vret natën e të qan ditën është i pabesë; është me dy faqe; ta bën të keqen fshehurazi dhe në sy të të tjerëve hiqet sikur të ka dashur. Vrau veten me dorën e tij ia bëri të keqen vetes. Me një gur (me një të shtënë) vret dy zogj shih te GUR,~I.