1. Trajtë a formë e veçantë e diçkaje, së cilës i përgjigjet një grup i njohur sendesh a dukurish me tipare të njëjta a të përafërta. Tip shtëpie (ndërtese). Tip makine (traktori). Tip aeroplani (vapori). Kooperativë e tipit të lartë.
2. biol. Nënndarje e madhe e botës së gjallë (e kafshëve dhe e bimëve), që përmbledh qenie me tipare kryesore të ngjashme në ndërtimin e tyre dhe në veçoritë e zhvillimit. Tipi dhe klasa. Tipat e botës shtazore (bimore).
3. Grup njerëzish, që bashkohen nga disa tipare të brendshme të përbashkëta (të karakterit, të ndjenjave etj.); ai që shpreh me tipar vetjak në mënyrë më të gjallë veçoritë e këtij grupi dhe bëhet përfaqësues i tij. Tipa të ndryshëm. Tip i mbyllur (i qeshur, i druajtur, i qetë, nevrik). Tip flegmatik. Ndarja e tipave.
4. Pamja e një njeriu, e cila lidhet me mjedisin ku ky jeton, me popullin a me shtresën shoqërore ku bën pjesë, me veprimtarinë që kryen etj. Tip punëtori. Tip fshatari. Tip shqiptari. Tip shkencëtari. Tip sportisti. Tip shoferi.
5. Njeri që dallohet prej të tjerëve nga disa tipare të veçanta. Tip i çuditshëm. Është tip më vete.
6. let., art. Personazh në tiparet vetjake të të cilit mishërohen artistikisht veçoritë e përbashkëta e më thelbësore të një klase a shtrese shoqërore, të një kombësie a kombi etj. Tipi i revolucionarit ( i komunistit). Tipi i punëtorit (i kooperativistit). Tipi i borgjezit (i feudalit). Tipi i intelektualit. Tipi i burokratit. Tipi i malësorit shqiptar.
7. Natyra e veçantë e diçkaje; mënyra e kryerjes së një veprimi; lloj. Tipat e punimeve (e ndërtimeve). Tipi i punës.
8. përd. mb. Që shërben a që është si model i një grupi të njohur, sendesh ose dukurish. Njësi tip. Rregullore tip. Projekt tip. Statut tip.