1. E shpie diçka a dikë nga vendi ku është në një vend tjetër, zakonisht duke e hequr zvarrë ose duke e shtyrë; e largoj diçka a dikë nga vendi i vet, i ndërroj vendin, e zhvendos; jokal. nuk qëndroj në vendin ku jam, por shkoj në një vend tjetër, zhvendosem; nuk qëndroj në një vend por eci; vet. veta III ecën, shkon, rrjedh në një drejtim të caktuar; largohem nga një vend; iki nga një vend për një kohë të gjatë a përgjithnjë. Lëviz karriget (tryezat, bankat). E lëviz më majtas (më djathtas, më përpara, më prapa). Lëvizën shumë dhe. Lëviz shpejt (ngadalë). Mezi lëviz nga vendi. Nuk lëviz nga shtrati. Njerëzit lëviznin lart e poshtë. Retë lëviznin drejt veriut. Hëna lëvizte ngadalë. Treni lëvizte me shpejtësi. Uji lëvizte teposhtë. S'ka lëvizur njeri nga fshati. Të mos lëvizë njeri nga shtëpia! Rrinte pa lëvizur fare.
2. Ndryshon qëndrimin e trupit a të një pjese të tij, nuk e lë në gjendje të qetë; jokal. vet. veta III nuk rri në gjendje të qetë, ndryshon qëndrimin a vendin. Lëviz trupin (kokën, krahët, këmbët). Lëviz buzët. Lëviz vetullat (qerpikët). Lëvizte sytë. Duart i lëviz anash. Qerpikët nuk i lëviznin fare. Këmba nuk i lëvizi më.
3. Rrotulloj, luaj, shkel a shtyp diçka për të vënë në punë motorin ose një mekanizëm tjetër. Lëviz marshin (timonin, çelësin e motorit). Lëviz rrotën e një mekanizmi.
4. Tund lehtë diçka; jokal. vet. veta III bën që të lëkundet ose të valëvitet në ajër, lëkund; tundet lehtë a valëvitet në ajër (për gjethet, shaminë etj.). Veriu lëvizte gjethet e pemëve (kallinjtë e grurit). Dikush po lëvizte shaminë (flamurin). Majat e plepave lëviznin. Era lëvizte lehtë sipërfaqen e ujit.
5. fig. E caktoj dikë me punë a e emëroj me detyrë në një vend tjetër; jokal. ndërroj punë a detyrë, kaloj në një vend tjetër. Lëviz kuadrin. E lëvizën në një detyrë tjetër. Lëvizën disa veta nga ndërmarrja.
6. jokal. fig. Shkoj përpara, përparoj; vet. veta III zhvillohet diçka. Jeta lëviz përpara. Nuk ka lëvizur nga vendi diçka ka mbetur në atë gjendje a në atë shkallë zhvillimi ku ishte.
7. fig. I shtoj dikujt vrullin për punë ose për të kryer diçka, e nxit, e shtyj për diçka, e vë në lëvizje; jokal. vë në lëvizje, i përvishem një pune a një vepre, lëviz masat (popullin). Njerëzit lëvizin kudo ku punojnë. Le të lëvizin vetë!
8. jokal. vet. veta III. Ndryshon, nuk qëndron në vend, lëkundet, luhatet. Lëviz tensioni i gjakut. Nuk lëvizin çmimet. Lëviz temperatura. Nuk po lëviz gjendja e të sëmurit.
9. fig. E bëj të paqëndrueshme diçka; i ngjall dikujt mosbesim e pasiguri, e lëkund, e tund; jokal. vet. veta III nuk është i qëndrueshëm, luan; lëkundet. Lëvizën themelet e perandorisë (e botës kapitaliste). Nuk e lëviz dot nga e tija. Fjalët nuk e lëvizën fare. Nuk lëviz nga fjala.
10. jokal. bised., keq. Nuk ka qëndrim të mirë moral, është e lëvizshme, e luan bishtin (për femrat).
11. jokal. bised. Çmendem, më luan mendja. Paska lëvizur fare!
Lëviz (dredh, përdredh, luan) bishtin keq. shih te BISHT,~I. Lëviz (luan) gurët shih te LUAJ. Nuk i lëviz (nuk i dridhet, nuk i luan) qerpiku (qepalla, syri, bebja e syrit) shih te SY,~RI. S'lëviz (s'tundet) nga vendi shih te VEND,~I. Më lëviz (më luan) zemra ndiej shqetësim të madh për diçka; më hyn shumë frika. S'lë gur pa lëvizur shih te LË. I lëviz (i shket, i rrëshqet, i luan, i dridhet) toka (trualli) nën këmbë shih te DRIDHEM. Nga lëviz qafa, kthehet koka fj.u. shih te QAF/Ë,~A. Kur rri (kur fle) koka, lëviz gjuha fj.u. shih te KOK/Ë,~A.