Janis Ricos (gr. Γιάννης Ρίτσος;Monemvasia,1 maj1909 -Athinë,11 nëntor1990) ka qenë poet dhe komunist grek, veprimtar aktiv i qëndresës greke gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ndonëse nuk donte të cilësohej si poet politik, është cilësuar "poeti i madh i së majtës greke."
U lind në Monemvasia, në krahinën e Lakonisë në Peloponez, ishte i katërti dhe më i vogli nga fëmijët e një familjeje pronarësh toke. Në moshën tetë-vjeçare nis të pikturojë, të shkruajë poezi dhe të luajë në piano. “Nëntë dritare kish në shtëpinë tonë dhe të gjitha hapeshin nga ana e universit”, do të ndërmendë ai më vonë vitet e fëmijërisë. Por, parajsa fëmijënore nuk vazhdon gjatë. Nga viti 1921, poeti i ardhshëm nis të njohë një mori fatkeqësish: familja rrënohet ekonomikisht, nëna dhe vëllai i madh vdesin para kohe, babai, që vuante nga trazime mendore, shtrohet në një spital psikiatrik. Vetë poeti do të kalojë tre vjet (1927-1930) në sanatorium për t’u kuruar nga tuberkulozi, sëmundje që e shoqëroi gjithë jetën. Këto ngjarje tragjike do të mbeten të pashqitshme nga vepra e tij poetike.
Një prirje vetjake dhe sidomos leximet e ndryshme të kësaj kohe e nxitin Ricosin të bëhet poet dhe revolucionar. Në vitin 1934, ai boton librin e tij të parë Traktori, i frymëzuar kryesisht nga futurizmi i Majakovskit dhe, një vit më vonë, librin Piramidat, dy vepra këto që realizojnë një ekuilibër të brishtë midis besimit tek e ardhmja, që bazohet mbi idealin komunist, dhe dëshpërimit vetjak. Në vitin 1936, poema e gjatë Epitafi shfrytëzon formën e poezisë popullore tradicionale dhe jep, nëpërmjet një gjuhe të thjeshtë, një mesazh prekës vëllazërimi. Muzika e Miki Theodhoraqisit më 1960-n, do ta bëjë këtë poemë ndezësin e revolucionit kulturor në Greqi.
Në vitet 1937–1940, Ricos boton librin Kënga e motrës sime. Me këtë rast, patriarku i letrave greke, Kostis Palamas, i shkruan Ricosit: “... Po mënjanohemi, Poet, që të kalosh.” Librat Simfoni pranverore dhe Marshi i Oqeanit përbëjnë bazën e Simfonisë së Shtatë të Theodhoraqisit, e njohur ndryshe si “Simfonia pranverore”. Te libri Mazurka e vjetër me ritmin e shiut (1942), Ricosi artikulon për të parën herë lidhjen e tij me hapësirën greke – mbartëse e kujtesës historike, që do të lejë gjurmë të pashlyeshme në krejt veprën e tij të ardhme.
Gjatë luftës civile, Ricosi angazhohet në luftën kundër të djathtës fashiste, çka i kushton katër vjet qëndrim nëpër kampe të ndryshëm “riedukimi”: Limnos, Ajos Efstratios, Makronisos. Megjithatë, ai vazhdon në kushte nga më të vështirat, të shkruajë vepra të rëndësishme në këtë kohë, që do të përmblidhen në librin Zgjim. Nga ferri i këtyre kampeve do të shpëtojë përkohësisht duke rigjetur Athinën, falë solidaritetit ndërkombëtar të nxitur prej poetëve dhe artistëve si Eluard, Aragon, Neruda, Picasso-s, etj.
Në vitin 1956, Ricosi boton veprën e madhe të pjekurisë së tij, Sonatë në dritën e hënës, që e vlerëson me Çmimin Kombëtar të Poezisë e, më pas, në vitet 1958 – 1966, vijnë me radhë përmbledhjet Kur vjen i huaji, Plakat dhe deti, Shtëpia e vdekur, ku nis seria e monologëve të gjatë të frymëzuar nga mitologjia dhe tragjedia antike, pastaj Filokteti, pastaj Oresti. Në vitet 1967 – 1971, junta ushtarake e ardhur në pushtet me grusht shteti, e internon përsëri poetin në Jaros dhe Leros e më pas në Samos, çka nuk e pengon ta pasurojë më tej veprën e tij të gjerë dhe ta zgjerojë frymëzimin në antikitetin grek: Persefoni, Agamemnoni, Izmini, Ajaksi, Helena, Kthimi i Ifigjenisë, Fedra janë poemat e shkruara në vitet 1965 – 1975. Përmbledhja madhore Përmasa e katërt do të grupojë të gjitha këto tekste që kanë formën e monologut “teatral” e që janë frymëzuar, siç thamë, prej mitit antik. Heronjtë e këtyre veprave gjenden shpesh para një konflikti ose në zgrip të vdekjes, në çastin kur duhet të bëjnë bilancin e jetës së tyre. Të gjitha këto poema janë një meditim i thellë për pleqërinë, vdekjen, kohën, historinë dhe copëtimin e një ekzistence të kapur midis ekzigjencave vetjake dhe imperativëve kolektivë, për vetminë dhe krizën e lëvizjeve revolucionare. Paralelisht me këtë kulm të krijimtarisë së tij, Ricosi shkruan edhe një numër të madh poezish të shkurtra që pasqyrojnë, në mënyrë therrëse, makthin e zgjuar të popullit të tij, të cilat i mblodhi në vëllimet Muri në pasqyrë, 18 këngë të atdheut të hidhur, Korridor dhe shkallë, Gjeste, letra, etj.
Nga viti 1970, poezia e Ricosit merr formën e sintezave të gjata apo të thyerjeve onirike, ku ëndrra dhe mbirealja ndërfuten pa ndërprerje tek e përditshmja, sidomos me praninë e personazheve të çuditshëm dhe zhvendosjen e vazhduar në kohë dhe hapësirë. Një univers më vete krijohet te librat E ardhme dhe Këngë fitoreje, të cilët këndojnë bukurinë e jetës, teksa Erotiket përbëjnë një himn shndritës për dashurinë në të gjitha dimensionet e saj. Ndërkohë, në vitin 1975, Ricosit i jepet titulli doktor honoris causa i Universitetit të Selanikut, si dhe çmimi Alfred de Vigny i qytetit të Parisit. I diskutuar për çmimin Nobel, ai deklaron se nuk do të mund të pranonte një çmim që dy vjet më parë ia kishin dhënë Henri Kissinger-it. Në 1977, Ricosit i jepet çmimi Lenin për paqe. Me këtë rast, ai udhëton në Moskë në shoqërinë e Aragon-it.
Vitet tetëdhjetë e kthejnë Ricosin te proza. Nëntë libra përmblidhen nën titullin Ikonostas shenjtorësh anonimë, ku mbizotërojnë ngadhënjimet e poetit: liria e metaforave, alternimi i reales me oniriken, gjuha e guximshme, hapja e shqisave mbi një univers erotik ku bashkekzistojnë epokat dhe moshat. Poezitë e librit të tij të fundit Vonë, shumë vonë nëpër natë (1987-1989) janë të mbushura me trishtim dhe ndërgjegjësim për humbjet, por mënyra përvujtnisht poetike me të cilën poeti rimëkëmb jetën dhe botën rreth tij, u ruan atyre një dritë shprese në një hovje të fundme krijimi.